Inflacioni i harmonizuar i çmimeve -Rritje me 2.3% për muajin korrik
Indeksi i harmonizuar i çmimeve të konsumit regjistroi një rritje vjetore prej 2.3%, duke u përafruar gjithnjë e më shumë me normën zyrtare të inflacionit. Sipas të dhënave nga Instituti i Statistikave, indeksi u rrit për të katërtin muaj radhazi.
Indeksi i harmonizuar i çmimeve të konsumit përfshin shpenzimet e bëra brenda territorit të vendit nga familjet shqiptare, si dhe shpenzimet e vizitorëve, ndërsa indeksi i çmimeve të konsumit mbulon vetëm shpenzimet private të familjeve shqiptare të kryera brenda dhe jashtë vendit.
Ajo që është vërejtur gjatë këtij viti është një ngushtim i diferencave mes dy indekseve. Një vit më parë Shqipëria kishte rritje të çmimeve ndër më të lartët në Europë, ndërsa aktualisht i është afruar nivelit mesatar të Bashkimit Europian, që për korrikun ishte 2.2%.
Grupi i ushqimeve ngelet elementi me ndikimin kryesor në ecurinë e indeksit të harmonizuar të çmimeve, edhe për shkak të peshës më të lartë specifike. Për korrikun, rritja e indeksit në këtë grup ishte 4.2%. Grupet e tjera po japin një kontribut relativisht modest në rritjen e çmimeve.
Kjo konfirmon analizat e Bankës së Shqipërisë se tendenca në rritje e inflacionit i detyrohet kryesisht përbërësve afatshkurtër, ndërsa një stabilizim i tij pranë objektivit prej 3% do të kërkojë edhe afarësisht dy vite të tjerë.
Ersuin Shehu/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.