Inflacioni i harmonizuar – Shqipëria, nivele të larta nga shtrenjtimi i ushqimeve
Indeksi i harmonizuar i çmimeve të konsumit ra lehtë gjatë muajit Prill, por ngelet në nivele më të larta se indeksi i brendshëm i çmimeve të konsumit.
Ndryshimi vjetor i indeksit të harmonizuar të çmimeve të konsumit rezultoi 3.6%, në rënie të lehtë nga niveli 3.8% i muajit mars. Përcaktues në rritjen relativisht të lartë të këtij indeksi ngelet ecuria e çmimeve të ushqimeve dhe pijeve.
Sipas INSTAT, çmimet e këtij grupi njohën rritje të lartë edhe në muajin Prill, me 8% kundrejt të njëjtës periudhë të një viti më parë. Grupi i ushqimeve ka kontribuar me afro 85% të rritjes vjetore të indeksit të harmonizuar të çmimeve të konsumit, ndërsa grupmallrat e tjerë kanë një kontribut modest.
Sipas të dhënave krahasuese me vendet e Bashkimit Europian, Shqipëria ka rritjen më të lartë vjetore të çmimeve, në të njëjtin nivel me Estoninë.
Faktori më përcaktues duket të jetë shtrenjtimi i ushqimeve, i ndikuar edhe nga dimri i ftohtë që ka dhënë pasoja në rendimentin e prodhimit bujqësor. Rrjedhimisht, është e pritshme që diferenca në nivelin e rritjes së çmimeve kundrejt vendeve të Bashkimit Europian të ngushtohet.
Indeksi i harmonizuar i çmimeve të konsumit synon të japë ecurinë krahasuese të çmimeve me pakicë mes vendeve europiane. Ky indeks mbulon të gjitha shpenzimet e bëra brenda territorit të vendit nga familjet shqiptare, si dhe shpenzimet e vizitorëve.
Ndërkohë, në indeksin e çmimeve të konsumit, mbulohen vetëm shpenzimet e familjare private shqiptare të kryera brenda dhe jashtë territorit të vendit.
Sidoqoftë, treguesi statistikor referues për ecurinë e çmimeve në ekonomi ngelet indeksi i çmimeve të konsumit. Sipas këtij indeksi, inflacioni vjetor në muajin prill rezultoi 1.9%.
Ersuin Shehu/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.