Inflacioni kalon objektivin e BQE – Rritet me 2% në Qershor, prej energjisë dhe ushqimeve
Inflacioni në Eurozonë është rritur në nivelin më të lartë në më shumë se 1 vit gjatë Qershorit, duke marrë nxitje nga rritja e çmimeve të energjisë dhe duke kaluar niveli objektiv të Bankës Qendrore Europiane.
Sipas Eurostat, inflacioni në 19 vendet që ndajnë euron u rrit në 2% gjatë Qershorit, nga 1.9% në Maj, ndërkohë që rritja e kostove të energjisë kompensoi për rritjen e ngadaltë në çmimet e shërbimeve dhe mallrave industrialë.
Objektivi i BQE për inflacionin qëndron në pak poshtë 2%-shit dhe institucioni ka prezantuar stimuj gjigantë monetarë për të nxitur rritjen e çmimeve që nuk e kishin arritur objektivin për 5 vite me radhë.
Megjithatë, inflacioni pritet të ngadalësohet përsëri, ndërkohë që rritja e përkohëshme e energjisë kthehet në normalitet.
Inflacioni nuk pritet të arrijë në mënyrë të qëndrueshme objektivin përpara vitit 2020, gjë që tregon se heqja e stimujve nga institucioni në Frankfurt do të jetë graduale.
Inflacioni bazë që heq ndikimin e energjisë dhe ushqimeve, që shihet me detaje nga politikëbërësit, u ngadalësua në 1.2% nga 1.3%, prej shërbimeve. Euro nuk reagoi pas publikimit të të dhënave dhe interesat e borxhit mbetën të pandryshuara.
Bordi i BQE vendosi këtë muaj se do të përfundojë blerjen e obligacioneve prej 2.6 trilionë euro në fund të këtij viti dhe shtyu projeksionet për rritjen e parë të normave të interesit në verën e 2019-ës.
Klevis Llaha/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.