Inflacioni në 3.3%, sipas Eurostat – Rritja e çmimeve në nëntor rezulton ndër më të ultat në Europë
Metodologjia e Eurostat për matjen e ndryshimit të çmimeve të konsumit tregon se, në muajin nëntor të këtij viti inflacioni në vendin tonë fiksohet në 3.3%. Ndërkohë, sipas metodologjisë së Instat kjo normë fiksohet në 3.1%. Indeksi i harmonizuar i çmimeve të konsumit, me një normë prej 3.3% për nëntorin, na vendos ndër vendet e fundit në Europë sa i përket rritjes së çmimeve, më saktësisht në vendin e 4-tët nga fundi. Mesatarja e rritjes së çmimeve të konsumit në Bashkimin Europian në nëntor fiksohet në 5.2%. Në vend të parë ndër vendet e unionit gjejmë Lituaninë, me një normë pranë rreth 9.2%. Inflacioni është kthyer në një kërcënim serioz në nivel global prej muajsh tashmë dhe edhe ekonomitë më të mëdha të botës, me në krye Shtetet e Bashkuara të Amerikës po raportojnë nivele rekord maksimale të rritjes së çmimeve.
Rritja më e madhe e çmimeve prej 5,6 % në vendin tonë gjatë nëntorit, sipas metodologjisë së Eurostat, vërehet në grupet “Ushqime dhe pije joalkoolike”, pasuar nga grupet “Transporti” me 5,0 %, “Argëtim dhe kulturë” me 3,2 %, “Komunikimi” me 3,1 %, “Hotele, kafene dhe restorante” me 2,6 %, “Qira, ujë, lëndë djegëse dhe energji” me 2,5 %, “Pije alkoolike dhe duhan” me 1,1 %, “Shëndeti” me 1,0 %, “Veshje dhe këpucë” dhe “Mobilim, pajisje shtëpie dhe mirëmbajtje” me 0,8 % secili dhe “Shërbimi arsimor” me 0,1 %. Nga ana tjetër çmimet e grupit “Mallra dhe shërbime të ndryshme” u ulën me 0,8 %.
Në muajin Nëntor 2021, ndryshimi mujor i matur nga Indeksi i Harmonizuar i Çmimeve të Konsumit është -0,1 %. Ky ndryshim është ndikuar kryesisht nga ulja e çmimeve të grupit “Ushqime dhe pije joalkoolike” me 0,8 %, pasuar nga grupi “Pije alkoolike dhe duhan” me 0,3 %, “Veshje dhe këpucë” dhe “Mallra dhe shërbime të ndryshme” me 0,1 % secili. Nga ana tjetër çmimet e grupit “Argëtim dhe kulturë” u rritën me 1,2 %, pasuar nga “Transporti me 0,8 %, “Qira, ujë, lëndë djegëse dhe energji” me 0,7 %, “Hotele kafene dhe restorante” me 0,5 %, “Mobilim, pajisje shtëpie dhe mirëmbajtje” me 0,2 %, “Komunikimi” dhe “Shërbimi arsimor” me 0,1 % secili.
Roel Korkuti / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.