Inflacioni në Eurozonë – Konfirmohet në 1.4% në Maj, rriten kostot e punës
Norma e inflacionit në Eurozonë rezultoi 1.4% në muajin Maj me bazë vjetore, në rënie nga 1.9% që ishte një muaj më parë.
Në Bashkimin Europian, niveli i çmimeve u regjistrua në 1.6%, në rënie nga 2% që ishte në Prill, raporton zyra e Statistikave e Bashkimit Europian. Normat më të ulëta u regjistruan në Irlandë, ku nuk ka pasur rritje (0%), ndjekur nga Rumania me 0.5% dhe Danimarka me 0.7%.
Estonia pati normën më të lartë të inflacionit për muajin Maj, me 3.5%, ndjekur nga Lituania me 3.2% dhe Mbretëria e Bashkuar me 2.9%. Nxitjen kryesore të nivelit të çmimeve e sollën karburantet për transport dhe shërbimet për akomodim, ndërsa telekomunikacionet sollën impakt negativ.
Eurostat ka publikuar edhe të dhënat mbi kostot e punës në Eurozonë, ku ka pasur një rritje me 1.5% për tremujorin e parë 2017, krahasuar me të njëjtën periudhë një vit më parë.
Komponentët kryesorë të kostove të punës janë pagat dhe kostot jo-paga, ku ka pasur një rritje me 1.4% dhe 1.6% në mënyrë respektive. Kostot e punës për orë janë rritur me 1.3% në sektorin e industrisë dhe të shërbimeve, ndërsa në ndërtim ka pasur një rritje me 1.9%.
Klevis Llaha/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.