Inflacioni në Eurozonë, Nowotny: Në 1.9%, BQE ka arritur me sukses objektivin
Çmimet e konsumit në Eurozonë u rritën me 1.9% në muajin Maj, nxitur nga kostot më të mëdha të energjisë, ushqimit dhe shërbimeve, ndërkohë që kostot e punës janë rritur me normën më të shpejtë në 5 vite gjatë tremujorit të parë 2018.
Zyra e Statistikave e Bashkimit Europian, Eurostat, raportoi se inflacioni gjatë muajit Maj arriti në 1.9%, duke konfirmuar vlerësimin fillestar, krahasuar kjo me një rritje prej 1.3% në Prill.
Ushqimi, alkooli dhe duhani shtuan 0.5% në rritjen totale, energjia 0.58%, ndërsa shërbimet dhanë kontributin më të madh me 0.72%. Inflacioni bazë u përputh me vlerësimin fillestar, në 1.3%.
Të dhënat e Eurostat mbi koston e punës me bazë tremujore, treguan një rritje me 1.8% të pagave gjatë fillimit të vitit, nga 1.6% në fundin e 2017-ës. Kostot totale të punës u rritën me 2%, nga 1.4% në tremujorin e kaluar, dhe shënuan nivelin më të lartë që prej vitit 2012.
Anëtari i bordit ekzekutiv të Bankës Qendrore Europiane, Ewald Nowotny, tha pas publikimit të të dhënave se niveli i çmimeve ka arritur nivelin objektiv të institucionit në pranë 2%.
“BQE mund të thotë se kemi arritur me sukses objektivin tonë”, tha Nowotny.
Klevis Llaha/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.