Inflacioni në Gjermani larg objektivit, ngadalësimi i parë në një vit
Çmimet e konsumit në Gjermani, që është dhe ekonomia më e madhe e Europës, u rritën me vetëm 0.1% gjatë Marsit në krahasim me muajin paraardhës.
Në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë ndërkohë, norma e harmonizuar e inflacionit u rrit me 1.5%, tregon zyra federale e statistikave në vend.
Të dhënat e Marsit flasin për ngadalësimin e parë të normës së inflacionit në terma vjetorë në thuajse 12 muaj. Gjatë muajit shkurt, inflacioni në Gjermani tejkaloi edhe objektivin e bankës qendrore europiane, si dhe preku nivelin më të lartë që prej gushtit të vitit 2012.
Rritjen më të madhe gjatë marsit e kanë regjistruar çmimet e veshjeve dhe këpucëve, me 8% në krahasim me muajin shkurt.
Në Francë ndërkohë, që është edhe ekonomia e dytë më e madhe e Eurozonës, norma e harmonizuar e inflacionit u rrit me 0.7% në terma mujorë dhe me 1.4% në terma vjetorë, tregon zyra e statistikave në vend.
Të dyja të dhënat rezultojnë në linjë me projeksionet dhe vlerësimet paraprake. Norma bazë e inflacionit ndërkohë u rrit me 0.2% gjatë muajit.
Vetëm Italia, që është ekonomia e tretë më e madhe e Eurozonës ka thyer pritshmëritë, duke regjistruar një normë në 1.9% në terma mujorë dhe 1.4% në terma vjetorë, përkundër pritshmërive që flisnin për 1.8 dhe 1.3% respektivisht.
Roel Korkuti/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.