Inflacioni në Spanjë – Ngadalësohet në Maj drejt nivelit objektiv të BQE
Çmimet e konsumit në Spanjë janë rritur këtë muaj me normën më të ngadaltë që prej Dhjetorit 2016, tregojnë të dhënat paraprake, duke e vendosur inflacionin në linjë me objektivin e BQE për të parën herë në 5 muaj.
Inflacioni i harmonizuar për efekt krahasimi me vendet e tjera anëtare të Bashkimit Europian, u rrit me 2% me bazë vjetore për muajin Maj, krahasuar me 2.6% që ishte një muaj më parë.
Të dhënat për Spanjën vijnë përpara publikimit në Gjermani, ku niveli i çmimeve qëndron poshtë objektivit të Institucionit në Frankfurt.
Inflacioni për të gjithë Eurozonën pritet të jetë ngadalësuar gjithashtu në 1.5% në Maj, nga 1.9% që ishte një muaj më parë.
Megjithatë, rritja e inflacionit në muajt e fundit ka sjellë presione të Banka Qendrore Europiane që të reduktojë programin e blerjes së titujve të borxhit.
Politikëbërësit e institucionit thanë javën e kaluar se niveli i çmimeve qëndron ende i dobët dhe se programi do të vazhdojë sipas planit.
Rënia e muajit Maj në Spanjë erdhi prej çmimeve të karburantit dhe prej paketave më të lira të pushimeve, deklaron Zyra Kombëtare e Statistikave.
Klevis Llaha/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.