Inflacioni në Turqi, pritet përsëri në rritje / Në 17% për Qershorin prej rënies së lirës dhe masave të karantinës
Inflacioni në Turqi pritet të rritet në 17% në Qershor, sipas një sondazhi të Reuters, pas një rënieje të papritur në muajin e kaluar, kur rritja e çmimeve u vonua nga karantina e Covid.
Inflacioni, që ka qëndruar në nivel dyshifror për pjesën më të madhe të 4 viteve të fundit, është rritur këtë vit pjesërisht prej zhvlerësimit të lirës, që ka ardhur nga heqja e guvernatorit të bankës qendrore nga presidenti Erdogan.
Pavarësisht pritshmërive se inflacioni do të rritet përsëri pasi preku majën prej 17% në Prill, indeksi i çmimit të konsumit ra papritmas në 16.59%, pasi karantina 4 javore në Maj vonoi rritjen e çmimeve nga bizneset. Ekonomistët e kanë shtyrë këtë rritje në Qershor. Vlerësimi mesatar i Reuters ndaj 13 të anketuarve për inflacionin në Qershor qëndroi në 17%. Zhvlerësimi i lirës turke me rreth 17% që prej mesit të Marsit, ka rritur çmimet e përgjithshme për Turqinë e orientuar nga importet. Inflacioni vjetor pritet të bjerë në 15% deri në fund të vitit, sipas analistëve. Banka Qendrore rishikoi gjithashtu projeksionet për inflacionin në fund të vitit në 12.2% , pavarësisht se shumë poshtë pritshmërive të tregut. Banka ka mbajtur normën bazë të interesit në 19% që prej muajit Mars.
Klevis Llaha – SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.