Inflacioni, norma më e lartë në 30 vite – Treguesi i preferuar i FED, në nivel rekord. Ndikon rritja e energjisë
Inflacioni në Shtetet e Bashkuara u rrit me normën më të shpejtë në mbi 30 vite gjatë Shtatorit, pavarësisht rënies së të ardhurave individuale, sipas Departamentit të Tregtisë. Presionet ndaj çmimeve, të matura nga indeksi i çmimeve të shpenzimeve personale për konsum, përfshirë ushqimin dhe energjinë, u rritën me 0.3% me bazë mujore dhe me 4.4% me bazë vjetore, që është rritja më e madhe që prej Janarit 1991.
Duke përjashtuar kostot e ushqimeve dhe energjisë, inflacioni u rrit me 0.2% gjatë muajit, në linjë me vlerësimet e analistëve, dhe me 3.6% me bazë vjetore, i pandryshuar nga Gushti. Rezerva Federale preferon këtë tregues ndër një serë matësisht për inflacionin. Rritja e vazhdueshmee cmimeve erdhi pavarësisht rënies së të ardhurave personale me 1% gjatë Shtatorit. Sipas të dhënave në SHBA, inflacioni u nxit nga rritja me 24.9% e kostove të energjisë, dhe me 4.1% e produkteve ushqimore.
Shërbimet patën rritje me 6.4% dhe mallrat me 5.9%. Të dhënat për inflacionin dhe të ardhurat vijnë ndërkohë që Rezerva Federale po has vështirësi me një perspektivën e çmimeve të larta dhe rritjes ekonomike të ngadaltë. Produkti i Brendshëm Bruto u rrit me vetëm 2% me bazë vjetore në tremujorin e tretë, që është norma më e ngadaltë që kur nisi rimëkëmbja nga pandemia. Gjatë fundjaves, sekretarja e Thesarit, Janet Yellen, ish kryetare e bankës qendrore, tha se pret ende që inflacioni të zbehet, pavarësisht se ajo dhe zyrtarë të tjerë kanë pranuar se presionet në çmime kanë qenë të vazhdueshme dhe më të gjata se sa pritej.
Klevis Llaha / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.