Inflacioni nuk fiton kuotë – Rritje modeste edhe për muajin korrik
Inflacioni u rrit lehtë për muajin korrik, por ngelet ende larg pritshmërive dhe objektivave të bankës qendrore. Sipas Institutit të Statistikave, norma vjetore e inflacionit u rrit në 1.5%, nga 1.3%. Një vit më parë në këtë periudhë, inflacioni ishte 2.3%, çka dëshmon qartë se rruga e kthimit të tij drejt objektivit prej 3% të Bankës së Shqipërisë ka pësuar një frenim të ndjeshëm gjatë këtij viti.
Për korrikun, nuk u vërejtën luhatje të mëdha në shumicën e grupeve, me përjashtim të atij “mobilie dhe pajisje shtëpie”, ku inflacioni u rrit në 1.3%, nga 0.7% q ëkishte qenë në qershor. Në tërësi, kontributin kryesor në inflacion vazhdon ta japë grupi me peshën specifike kryesore, “ushqime dhe pije”, që për korrikun arriti në 2.8%, në rritje të lehtë nga niveli 2.7% i qershorit. Brenda grupit të ushqimeve, inflacioni është më i lartë në nëngrupin “fruta” me 9.5 %, pasuar nga nëngrupet “zarzavate” me 6,7 % dhe “qumësht, djathë e vezë” me 3,3 %.
Grupet e tjera të mallrave dhe shërbimeve vazhdojnë të shfaqin vlera mjaft të ulëta të inflacionit vjetor.
Banka e Shqipërisë gjykon se ulja e inflacionit këtë vit i detyrohet sidomos shtrirjeve në kohë të efekteve të mbiçmimit të lekut në kursin e këmbimit valutor. Vështirësitë e ekonomisë së eurozonës për të dalë nga kriza e gjatë po ndikojnë gjithashtu në presione të dobëta inflacioniste nga jashtë. Pas mbledhjes së Këshillit Mbikëqyrës të ditës së mërkurë, Banka e Shqipërisë e shtyu sërish parashikimin e saj për kthimin e inflacionit në objektiv, për në gjysmën e dytë të vitit 2021.
Guvernatori, Gent Sejko, pranoi se ngadalësimi i rritjes së ekonomisë dhe inflacionit ishte më i lartë nga sa priste Banka e Shqipërisë. Në këto kushte, Këshilli Mbikëqyrës paralajmëroi se mund të ulë sërish normën bazë të interesit, që aktualisht qëndron në minimumin historik prej 1%, që nga qershori i vitit të kaluar.
Ersuin Shehu/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.