Inflacioni, problemi i radhës i pandemisë / Shënon 2.5% në Britani, niveli më i lartë në 3 vite. Në SHBA, 5.4%
Inflacioni në Britani është rritur sipër objektivit të Bankës së Anglisë në Qershor, në 2.5%, që është norma më e lartë që prej Gushtit 2018 dhe sipër 2.1%-shit që ishte në Maj. Të dhënat zyrtare treguan se çmimet më të larta për ushqim, karburant, makina të përdorura, veshje dhe këpucë, kanë rritur inflacion në Qershor, ndërkohë që ekonomia u rimëkëmb nga masat e karantinës, sipas Zyrës Kombëtare të Statistikave në Londër. Treguesi ishte sipër të gjithë projeksioneve nga analistët, që prisnin një maksimum prej 2.2% me bazë vjetore. Indeksi i çmimit të konsumit në Britani theu objektivin e bankës së Anglisë prej 2% për të parën herë në mbi 2 vite gjatë Majit, por rritja pritet shumë më e dobët se në SHBA. Të dhënat e kësaj jave treguan se çmimet e konsumit në SHBA u rritën me 5.4% në Qershor, që është norma më e lartë në 13 vite, ç’ka pritet të detyrojë Rezervën Federale që të veprojë. Banka e Anglisë ka bërë të ditur se inflacioni do të shënojë 3%, përpara se të tërhiqet. Inflacioni bazë që përjashton çmimet e luhatura të ushqimit, energjisë, alkoolit dhe duhanit, shënoi 2.3% në Qershor me bazë vjetore, krahasuar me 2% në Maj. Përshpejtimi i inflacionit reflekton dobësinë e kërkesës në vitin e kaluar, kur pjesa më e madhe e ekonomisë ishte mbyllur dhe konsumatorët u detyruan të qëndrojnë në shtëpi.
Klevis Llaha – SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.