[Infodata] Remitancat, ja nga kanë ardhur paratë për shqiptarët ndër vite
Historia shqiptare e emigracionit është e lidhur ngushtë edhe me një nga efektet apo qëllimet kryesore, dërgimin e parave për familjarët në atdhe. Këto të ardhura quhen remitanca dhe gjatë 20 viteve të fundit kanë parë dhe vijojnë të shohin transformime në vendet e origjinës, prej nga ku dërgohen.
Grafiku i mëposhtëm, i përpunuar mbi të dhënat e Bankës Botërore, analizon këtë fenomen botëror. Nga viti 2010, remitancat globale janë rritur me 56%, duke kapur vlerën e 447 miliardë dollarëve.
Ndërkohë, në Shqipëri situata paraqitet ndryshe. Për shkak të lidhjes së ngushtë me gjendjen ekonomike në shtetet ku jetojnë emigrantët, kriza e vitit 2008 i ka dhënë një goditje edhe aftësisë së shqiptarëve për të kursyër, e rrjedhimisht për të dërguar para në shtëpi.
Nëse në 2008-ën, remitancat kapnin vlerën rekord prej gati 1,5 miliardë dollarësh, në vitin 2016 ato janë rreth 1 miliardë dollarë.
Gjithsesi, të dhënat e fundit të Bankës së Shqipërisë flasin për një rritje të lehtë, e cila ka nisur pas vitit 2015.
Por pavarësisht këtij zhvillimi pozitiv për shumë familje, vendi ynë klasifikohet ndër 10 vendet e Europës lindore dhe Qendrore me varësinë më të lartë ndaj remitancave, varësi e cila matet me vendin që zënë në Produktin e Brendshëm Bruto.
Sa i takon mënyrës së dërgesës së remitancave, në vendin tonë vihet re një nivel i lartë i dërgesave cash, çka e vështirëson në njëfarë mënyre matjen e peshës reale të tyre. Kjo i atribuohet kostove të dërgimit të remitancave, të cilat janë më të larta në raport me rajonin.
Duke lëvizur në grafik, mund të shihni historikun e shkëmbimeve të remitancave mes Shqipërisë dhe vendeve kryesore të origjinës, si: Greqia, Italia, Shtetet e Bashkuara, etj.
Angelo Haruni/SCAN