Informim intensiv i tatimpaguesit – DRT e Fierit, 43,238 kontakte me tatimpaguesit dhe individë
Drejtoria rajonale tatimore e Fierit vlerësohet si një nga drejtoritë, ku Shërbimi i Tatimpaguesve ka pasur një performancë pozitive gjatë këtij viti. Sipas njoftimit për mediat, nga drejtoria e përgjithshme e Tatimeve, rezulton se vetëm gjatë periudhës Janar – Gusht 2018 janë realizuar përmes të gjitha rrugëve të komunikimit direkte dhe elektronike 43,238 kontakte me tatimpaguesit dhe individë.
Përmes platformave online të komunikimit është bërë e mundur marrja e shpejtë e informacionit për të gjitha çështjet e ngritura, duke reduktuar në këtë mënyrë kontaktet e drejtpërdrejta me administratën tatimore. Gjithashtu, në kuadër të fushatës së informimit për përfshirjen në skemën e TVSH-së të biznesit të vogël, referuar të dhënave të drejtorisë Rajonale Tatimore Fier, vetëm në Këndin e Asistencës u informuan mbi procedurat 915 tatimpagues, ndërsa u asistuan në terren 940 tatimpagues të vegjël.
Sipas drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve aktualisht po zbatohet një tjetër fushatë informimi dhe edukimi në të gjitha drejtoritë rajonale të tatimore. Janë 11 kategori të biznesit ku përfshihen persona juridikë, fizikë, ambulantë, individë dhe fermerë që po njihen me te drejtat dhe detyrimet tatimore përmes broshurave dhe videove, kjo në kuadër të Platformës së Informimit, një projekt që po zbatohet me mbështetjen e Bankës Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim.
Broshurat përmbajnë informacion të detajuar për të gjithë hapat e ciklit të jetës së një biznesi, nga regjistrimi, deklarimi, pagesat e detyrimeve, si dhe të drejtat e detyrimet e tjera lidhur me administratën tatimore. Informimi dhe edukimi i tatimpaguesve me korrektësi vijon të mbetet një ndër prioritetet e administratës Tatimore. Lidhur me këtë qasje, në të gjitha Drejtoritë Rajonale Tatimore janë të ngritura dhe funksionojnë zyrat e Shërbimit ndaj Tatimpaguesve, Këndi i Asistencës i dedikuar ndaj biznesit të vogël dhe këndi i Bashkëqeverisjes.
Nertila Doko/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.