Instat bën bilancin e izolimit – Turizmi rënie deri 84% në T2, baret dhe restorantet shkurtuan 30% të stafit
Të dhënat më të fundit të institutit të statistikave hedhin më shumë dritë mbi impaktin e krizës dhe sidomos të periudhës së izolimit në sektorët kyç të ekonomisë shqiptare, që nga baret apo restorantet, deri te hotelet apo agjencitë e udhëtimit. Këto të fundit kanë pësuar rënien më të madhe të shitjeve neto gjatë tremujorit të dytë të vitit, në rënie me 84% krahasuar me tremujorin e parë të vitit.
Më pas ndjekin hotelet, në rënie me rreth 61% gjatë periudhës më të keqe të vitit për ekonominë, si dhe në fund baret me restorantet në rënie me rreth 51%. Edhe zëri i tregtisë dhe maganzinimit raportohet në rënie të ndjeshme, në masën 43%, thonë të dhënat më të fundit të institutit të statistikave sa i përket treguesve afat-shkurtër. Një tjetër e dhënë alarmante është ajo e numrit të të punësuarve dhe fondit të pagave në tremujorin e dytë të vitit.
Në sektorin e bar-restoranteve të punësuarit kanë rënë me rreth 31.8% në numër gjatë tremujorit të dytë, ndërkohë që fondi i pagave është tkurrur me 30.7%. Më pas ndjekin hotelet, në rënie me rreth 20% si numër punonjësish dhe rreth 24% si fond pagash. Asnjë sektor nuk ka rritje të shitjeve, të stafit apo të fondit të pagave gjatë tremujorit të dytë, thonë të dhënat e instat.
Roel Korkuti / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.