INSTAT: Profesionet më të paguara për vitin 2018!
Ligjvënësit, nëpunësit e lartë të administratës shtetërore dhe drejtorët ekzekutivë janë më të paguarit për 2018 referuar publikimit të fundit të Institutit të Statistikave.
Nga ana tjetër, grup – profesionet me pagë nën nivelin mesatar janë zejtarët, artizanët, punonjësit e kualifikuar të bujqësisë, pyjeve dhe peshkimit si dhe profesionet e së njëjtës familje.
Bazuar në studimin e INSTAT, në vitin 2018 paga mesatare bruto në Shqipëri është 50.589 lekë, 3.3 përqind më shumë se në 2017.
Paga mesatare mujore bruto është mbi nivelin mesatar për aktivitetet ekonomike si: aktivitetet financiare dhe të sigurimit; administrata publike dhe mbrojtja; sigurimi social i detyrueshëm; arsimi; shëndetësia dhe aktivitete të punës sociale.
Ndërsa aktivitetet ekonomike me pagë poshtë nivelit mesatar janë tregtia me shumicë dhe me pakicë, riparimi i automjeteve dhe motoçikletave, transporti dhe magazinimi, aktivitetet e akomodimit dhe shërbimit ushqimor, bujqësia, silvikultura dhe peshkimi.
Jenida Vladi/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.