INSTAT publikon të dhënat e fundit: Rritet numri i të huajve që kanë hyrë në Shqipëri gjatë qershorit 2017
Numri i shtetasve shqiptarë dhe të huaj të hyrë në territorin shqiptar, në muajin Qershor 2017 është 816.877, krahasuar me Qershor 2016, ky tregues rezulton me rritje 8,0 %. Nga ana tjetër sipas të dhënave të INSTAT numri i shtetasve të huaj të hyrë në vend është 437.820, krahasuar me Qershor 2016, ky numër është rritur me 11,0 %.
“Numri i shtetasve të huaj të hyrë në vendin tonë në gjashtëmujorin e parë 2017 është 1.759.294, duke u rritur me 9,9 %, në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit 2016”
Sa i takon daljeve nga vendi, INSTAT nënvizon se shtetasit shqiptarë dhe të huaj të dalë nga vendi gjatë muajit Qershor 2017 janë 771.980, duke shënuar një rritje me 5,4 %, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
“Numri i shtetasve shqiptarë të dalë nga territori i Shqipërisë gjatë muajit Qershor 2017 është 381.246. Krahasuar me Qershor 2016, ky numër është rritur 2,9 %. Numri i shtetasve shqiptarë të dalë nga territori i vendit tonë në gjashtëmujorin e parë 2017 është 2.263.581 duke u rritur 3,7 %, krahasuar me njëjtën periudhë të një viti më parë”, thuhet në njoftimin e INSTAT.
Oman Dedja/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.