Institucionet e sigurisë ne Kuvend – Miratohen fondet shtesë, Noka: Buxheti i pastrimit të parave
Komisioni Parlamentar i Sigurisë miratoi vetëm me votat e mazhorancës buxhetet e institucioneve të sigurisë për vitin 2018. Relatori i draftit, Pjerin Ndreu renditi shtesat në buxhetin e SHISH-it dhe të Drejtorisë së Burgjeve si zhvillimet më të rëndësishme të këtyre institucioneve për vitin e ardhshëm.
“Ngelemi te Shërbimi Informativ Shtetëror, i cili është një institucion specifik. Duhet evidentuar se me buxhetin e ri ka një rritje prej 5.2% në raport me vitin që kaloi. Si gjithmonë ne do të japim mbështetjen tonë për një shtesë fondi në shumën 2 milionë euro, ose 274.8 milionë lekë, që ka për qëllim blerjen e sistemit për grumbullimin dhe analizimin e informacionit”, tha Ndreu.
Ndërsa argumentoi votën kundër të Partisë Demokratike, Deputeti Flamur Noka akuzoi se institucionet e sigurisë janë vënë në funksion të trafiqeve dhe veçanërisht të pastrimit të parave nga e majta.
“Se na tregon shifra. Këto shifra, thashë, jeni mësuar të manipuloni. Por merruni me pastrimin e parave se aty do t’ju vijë fundi. Ky është buxhet i pastrimit të parave, të Habilajve, të Balilajve, të Jael Çelës, të Saimir Tahirit e të Edi Ramës e të gjithë bandës kriminale që sot për fat të keq quhet qeveri”, tha Noka.
Pas miratimit nëpër Komisionet përkatëse, buxhetet e institucioneve të sigurisë do të votohen në seancën plenare të Kuvendit të datës 30 nëntor.
Lorenc Rabeta/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.