Institucionet fshehin detyrimet e prapambetura – KLSH: Shifra, 57 milonë euro më e lartë se ajo zyrtare
Kontrolli i Lartë i Shtetit konstaton se vlera e detyrimeve të prapambetura të krijuara nga institucionet qendrore dhe ato vendore për vitin 2019, është 7.1 miliardë lekë apo 57 milionë euro më lartë, nga shuma e raportuar nga Ministria e Financave. Në raportin e auditimit mbi “zbatimin e buxhetit të vitit 2019”, KLSH vë në dukje se nga auditimi konstatohet se ekzistojnë njësi shpenzuese që nuk raportojnë detyrime të prapambetura si dhe njësi shpenzuese që raportojnë me diferenca materiale përkundrejt vlerave faktike të detyrimeve të prapambetura si në rastin e Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve për vendimet gjyqësore, Drejtorisë së Përgjithshme të Doganave, AKSHI-t Fondi Shqiptar i Zhvillimit, Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve, Aparati i Ministrisë së Arsimit Sportit dhe Rinisë, Universiteti Aleksandër Moisiu që japin në total një efekt me detyrime të prapambetura në rreth 2,642 miliardë lekë.
Kështu, referuar auditimit të Kontrollit të lartë të Shtetit, Nga 17.3 miliardë lekë detyrime të prapambetura të raportuara nga Ministria e Financave deri në fund të vitit 2019, ku përfshihen qendroret dhe vendoret, duke llogaritur edhe detyrimet e paraportuara prej 3,7 miliardë lekë të pushtetit vendor, më shumë se 2,6 miliardë lekë nga AKSHI, vendimet e DPT dhe institucione të tjera, si dhe 790 milion lekë detyrimet e FZHR, rezulton që shuma totale e totale të jetë në afro 24,4 miliardë lekë. KLSH nënvizon se niveli i detyrimeve të prapambetura vijon të mbetet përsëri një problematikë që kërkon adresim të menjëhershëm dhe të kujdesshëm.
Elisabeta Dosku / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.