Institucionet “fshehin” të dhënat – Komisioneri, 107 vendime për mungesë transparence
Institucionet publike në vend duket se nuk janë të hapura ndaj kërkesave për vënie në dispozicion të informacioneve të ndryshme, edhe pse janë të detyruara me ligj.
Kështu, komisioneri për të Drejtën e Informimit ka marrë 107 vendime gjatë vitit 2017 ndaj institucioneve që në një farë mënyrë kanë fshehur të dhënat, duke mos i bërë ato publike ndaj kërkuesve.
Pjesa më e madhe e vendimeve jepet në formë detyrimi për këto institucione që të vënë në dispozicion informacionin e munguar, po nga ana tjetër janë vendosur edhe masa administrative me gjobë, sipas rastit.
Problematike në këtë aspekt janë ministri të ndryshme, si ajo e Arsimit dhe e Sportit, Ministria e Mbrojtjes, e Drejtësisë, e Punëve të Jashtme, Ministria e Kulturës, etj, institucione të shumta në varësi të tyre.
Bashkitë gjithashtu kanë rezultuar problematike, konkretisht është marrë vendim për bashkinë e Tropojës, Kukësit, Tepelenës, Pogradecit; Gjykata si ajo e Shkodrës, Gjykata e Apelit Tiranë, etj, Prokuroria e Përgjithshme, Policia e Shtetit, etj.
Komisioneri për të Drejtën e Informimit akumulon ankesat dhe urdhëron institucionet që të marrin masat përkatëse sipas rastit.
Elisabeta Dosku/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.