Institucionet publike, më transparente – Dervishi: 124 ankesa më pak gjatë 2017-ës
Institucionet publike në Shqipëri janë bërë më transparente vitet e fundit , këtë gjë e tregon numri më i ulët i ankesave të bëra nga qytetarët, në zyrën e Komisionerit për të drejtën e informimit dhe mbrojtjen e të dhënave personale. Vetëm në vitin e kaluar kjo zyrë shënoi 124 ankesa më pak se në 2016-ën.
“Natyrisht nuk duhet të ketë ankesa fare. Por pozitivja e kësaj është që më shumë se gjysma e ankesave, rreth 400 prej tyre, janë zgjidhur menjëherë me ndërhyrjen e zyrës së Komisionerit, pra nuk ka pasur nevojë për të bërë seanca dëgjimore, për të bërë vendime, pra për të bërë gjyq”, deklaroi komisioneri Besnik Dervishi.
Gjatë aktivitetit të organizuar me të rinj në mjediset e kuvendit të Shqipërisë , zv/ kryetarja Vasilika bëri një apel:
“Ju keni të drejtë të dorëzoni, të dërgoni tek ne, letra dhe ankesa. Mund t’ia drejtoni të gjithë Kuvendit, por mund t’ia drejtoni dhe deputetëve të posaçëm. Unë ju ftoj që për ato probleme që ju shqetësojnë, t’i adresoni në Kuvendin e Shqipërisë”, tha Hysi.
Por problematika kryesore mbetet se ende shumë qytetarë nuk i dinë të drejtat e tyre dhe ngurrojnë të trokasin në dyert e institucioneve , një e drejtë kjo që ja jep ligji aktual i cili është vlerësuar si një ndër 10 ligjet më të mira në rang botëror
Nertila Doko/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.