Integrimi në BE – Komisioneri Hahn, “zbarkon” në Tiranë dhe Shkup
Johanes Hahn njoftoi nga samiti i Ballkanit Perëndimor se nga data 17 korrik do të nisë një tur ballkanik që nis me Shkupin e më pas vijon me Tiranën. Hahn gjatë vizitës do të sqarojë hapat që duhen ndërmarrë për procesin e hapjes së negociatave për Shqipërinë dhe Maqedoninë, në qershor 2019.
Eurokomisioneri Hahn, në Tiranë do të takohet me Presidentin Meta, me kryeministrin Rama si dhe me përfaqësues të tjerë të qeverisë. Në deklaratën e dhënë për mediat nuk ka parashikuar takime me përfaqësues të opozitës, por siç u shpreh gjatë konferencës në Bruksel diskutimi me ta do të zhvillohet vetëm nëse do të ketë hapësirë në orare.
Më herët, Hahn e ka bërë të qartë se Shqipëria duhet të vijojë me zbatimin e reformave dhe me plotësimin e 5 prioriteteve për të marrë përgjigje pozitive në lidhje me negociatat.
Në lidhje me marrëveshjen e Shqipërisë dhe Greqisë , komisioneri ka qenë i prerë në deklaratat e tij, BE nuk do t’i hapë dyert asnjë vendi që ka probleme me fqinjët.
Sa i përket vizitës në Shkup, Hahn do të takohet me kryeministrin Zoran Zaev, me kryetarin e Kuvendit Talat Xhaferi me përfaqësues të partive politike si dhe me aktorë të shoqërisë civile dhe biznesit. Por në këtë takim Hahn nuk parashikon që të takojë Presidentin Ivanov. Ky qëndrim vjen si rezultat i refuzimit të firmosjes së marrëveshjes me Greqinë për emrin e ndryshuar në Maqedonia e Veriut.
Entela Barjamaj/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.