Integrimi në BE – Shqipëria vijon punën për përafrimin e legjislacionit
Shqipëria është duke u përpjekur me të gjitha mundësit që brenda këtij viti të sigurojë hapjen e negociatave për anëtarësimin në BE. Në këtë kuadër vijon edhe puna për përafrimin e legjislacionit të BE.
Kështu Ministria e Integrimit Evropian ka hapur proceduarat e organizimit të një tenderi me objekt” Përkthimin e legjislacionit të BE”.
Ky tender është shpallur pasi ka marrë lejen përkatëse nga Kryeministria për vijimin e proceduarave të prokurimit publik, pas pezullimit të përkohshëm që është bërë për prokurimet po nga ky institucion.
Shuma e vënë në dispozicion për ketë tender është mbi 12.5 milionë lekë pa TVSH, ndërkohë që afti i ekzekutimit të kontratës do të jetë 3.5 muaj.
Ofertat pritet që të hapen më 14 gusht dhe të shpallet dhe një fitues i cili do të ketë detyrimin për ofrimin e shërbimit si më poshtë: Përkthim të legjislacionit nga anglisht në shqip mbi 5 mijë faqe, si dhe përkthim të legjislacionit nga shqip në anglisht mbi 6 mijë faqe.
Përparësia e akteve që do të përkthehen do të përcaktohet nga kalendari i përgatitur nga Drejtoria e Përafrimit të Legjislacionit të BE-së.
Materiali përfundimtar do ti vihet në dispozicion fituesit në ditën e nënshkrimit të kontratës.
Marrja e punës në dorëzim do të bëhet me procesverbal ndërmjet palëve ku do të rakordohen paraprakisht aktet që do të dorëzohen për përkthim dhe numri total i faqeve.
Entela Barjamaj/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.