Integrimi në BE – Sussmuth: Shqipëria hapa të sigurt drejt familjes europiane
Kryetari i Kuvendit të Shqipërisë, Gramoz Ruçi, priti një grup deputetësh dhe ish-deputetësh të Bundestagut gjerman, të kryesuar nga ish-Presidentja e Bundestagut, Rita Sussmuth.
Gjatë takimit Ruçi tha: “Jemi të përkushtuar të punojmë ngushtësisht me Gjermaninë, në mënyrë që të arrijmë progres të mëtejshëm në reformën në drejtësi, luftën kundër korrupsionit, krimit të organizuar dhe të trajtojmë probleme specifike, si aplikimet e pabaza për azil të shtetasve shqiptarë, trafiqet e paligjshme, etj.”
Ndërsa Rita Sussmuth dhe delegacioni që e shoqëronte vlerësuan arritjet e Shqipërisë, të cilat bëhen më të dukshme e të prekshme kur shikohen nga afër. Ata vunë në dukje se skepticizmi për rezultatet e Shqipërisë në proceset integruese po zhduket dhe po ia le vendin besimit të fuqishëm se Shqipëria po hedh hapa të sigurt e të qëndrueshëm drejt pranimit në familjen europiane.
Entela Barjamaj/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.