Integrimi në BE, Vlahutin: Projekti europian i përket qytetarëve
Integrimi në Bashkimin Europian ka nevojë për vendosmëri dhe reforma. Gjithsesi për Ballkanin Perëndimor, ku përfshihet edhe Shqipëria, rruga është e qartë drejt unionit. Ka qenë ky theksi që ka vënë ambasadorja e Bashkimit Europian në Tiranë, Romana Vlahutin, gjatë ceremonisë së mbajtur me rastin e 60 vjetorit të Traktatit të Romës, që vendosi edhe themelet e Bashkimit Europian. Në këtë ceremoni merrnin pjesë edhe ambasadori italian në Shqipëri, Alberto Cutillo dhe Ministrja e Integrimit, Klajda Gjosha.
“Bashkimi Europian nisi si ëndrra e të paktëve dhe u kthye në shpresën e shumicës. Projekti europian është për qytetarët, për secilin prej nesh, është për cilësinë e jetës, që të jemi të barabartë para ligjit dhe të sigurt për atë që hamë, pimë, apo që të marrim shërbimin e duhur shëndetësor. Shumë nga ata që janë në Bashkimin Europian këto gjëra i marrin të mirëqena por për shqiptarët, përpjekjet për suksesin e projektit europian janë domethënëse. Ndaj sot, ne rikonfirmojmë angazhimin tonë për një të ardhme europiane të bashkuar që përfshin Ballkanin Perëndimor. Deklarata e Federika Mongerinit në Tiranë dhe deklarata e BE, pak ditë më vonë, ishin të gjitha të qarta. Bashkimi Europian nuk do të jetë i plotë pa Ballkanin perëndimor”, deklaroi Romana Vlahutin Ambasadore e BE në Tiranë.
“Në thelb, ajo që mban Bashkimin Europian janë vlerat. Për vendet që duan të jenë pjesë e tij siç është Shqipëria më lejoni të citoj. Ne duam një union që mbetet i hapur për ato vende europiane që respektojnë vlerat tona dhe janë të vendosura për ti promovuar ato. Kjo fjali thotë shumë sepse kryesore në këtë rast është se nuk po flasim për një proces burokratik të pranimit, ku të duhet të shënosh me kryq se çfarë ke bërë, është çështje vlerash, ndarjesh e mbështetje. Dhe vlerat në këtë rast janë paqja, liria, të drejtat e njeriut dhe mbizotërimi i ligjit. Ndaj gjej rastin ti bëj thirrje institucioneve dhe shqiptarëve, sidomos të rinjve të vazhdojnë në rrugën e përparimit dhe reformave që kanë nisur”, u shpreh Ambasadori i Italisë në Tiranë, Alberto Cutillo.
60 vjetori i Traktatit të Romës përkoi edhe me inaugurimin e Qendrës së Informacionit të Bashkimit Europian në Tiranë.
Nertila Maho/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.