Integrimi në BE, Meta-Juncker: Reforma në 5 prioritetet kyçe për negociatat
Presidenti i Komisionit Europian në ditën e dytë të vizitës së tij në Tiranë ka zhvilluar një takim me presidentin, Ilir Meta.
Gjatë takimit Presidenti Meta evidentoi faktin se të gjitha forcat politike parlamentare ndajnë të njëjtin synim madhor për integrimin e plotë të Shqipërisë në BE, dhe bashkohen në dëshirën për çeljen sa më parë të negociatave të anëtarësimit.
Kreu i Shtetit shpreson se falë përpjekjeve të përbashkëta mes Shqipërisë dhe Komisionit Evropian, vendet anëtare do të binden për çeljen e negociatave të anëtarësimit të Shqipërisë gjatë Presidencës Bullgare, gjatë këtij 6-mujori.
Duke theksuar rëndësinë që ka zbatimi i reformave në 5 prioritetet kyçe, Presidenti Meta vlerësoi se rezultatet janë ato që do të rrisin besueshmërinë si te qytetarët shqiptarë ashtu edhe tek vendet anëtare të BE-së.
Ndërkohë që kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, u takua, me Komisionerit për Zgjerimin, Johannes Hahn. Basha ka shprehur mbështetjen e plotë të opozitës për hapjen e negociatave të anëtarësimit me Bashkimin Europian.
Kryetari i Partisë Demokratike theksoi se opozita beson se hapja e negociatave do të ofrojë një mekanizëm të fortë dhe të pavarur për monitorimin e nivelit të demokracisë, respektimit të të drejtave të njeriut dhe të cilësisë së qeverisjes në Shqipëri.
Basha siguroi Komisionerin Hahn për vazhdimin e angazhimit pa kompromis të opozitës për luftën kundër krimit dhe korrupsionit, të zbatimit në mënyrë kushtetuese dhe të paanshme të reformës në drejtësi, si dhe plotësimin e kritereve të tjera për hapjen e negociatave të anëtarësimit.
Entela Barjamaj/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.