Interesat e bonove – Bien sërish poshtë kufirit të 2%
Interesat e bonove të thesarit ranë për të dytin ankand radhazi në tregun primar, duke mbyllur përfundimisht ciklin gjashtëmujor të rritjes.
Sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë, bonot me maturim 12-mujor u shitën në ankandin e të martës kësaj jave me një yield mesatar të ponderuar prej 1.96%, nga 2.18% që kishte qenë në ankandin e mëparshëm.
Në ankandin e kësaj jave, kërkesat e paraqitur për blerje kishin vlerën e 12.1 miliardë lekëve, ndjeshëm më shumë në raport me shumën prej 8.2 miliardë lekësh të shpallur për financim nga Ministria e Financave.
Kjo dëshmon se distanca mes kërkesës dhe ofertës është zgjeruar, duke sjellë rrjedhimisht edhe ulje të interesave që qeveria shqiptare paguan për instrumentet e borxhit.
Në analizat e saj, Banka e Shqipërisë gjykonte se rritja e interesave të bonove pas tremujorit të dytë u diktua kryesisht nga rritja e kërkesës së qeverisë për financim në tregun e brendshëm pas tremujorit të dytë. Në këtë periudhë, qeveria shtoi kërkesën për financim në tregun e brendshëm financiar.
Të dhënat e Ministrisë së Financave tregojnë se në fund të muajit shtator stoku i borxhit të brendshëm u rrit me rreth 9 miliardë lekë që nga fillimi i vitit.
Kërkesa e shtuar bëri që yield-et t’i ktheheshin rritjes, pasi në tremujorin e parë kishin prekur nivelin më të ulët historik. Por, ashtu siç parashikohej, cikli i rritjes së interesave pati përmasa të kufizuara dhe kishte kryesisht një natyrë korrektuese.
Qysh në muajin tetor, interesat ranë sërish poshtë pragut të 2%. Kjo ka ardhur nga normalizimi i kërkesës së qeverisë për huamarrje, por ndoshta edhe nga një shtim i likuiditeteve të lira të sistemit bankar.
Pas sezonit veror, depozitat u rritën ndjeshëm, por një ndikim mund të ketë pasur edhe ndryshimi i rregullave për mbajtjen e rezervës së detyrueshme.
Pas gushtit, bankat duhet ta mbajnë të gjithë rezervën e detyrueshme në valutë të denominuar në valutën përkatëse dhe jo më duke llogaritur vlerën ekuivalente në lekë.
Ky ndryshim mund të ketë rritur likuiditetin e lirë në monedhën vendase dhe të ketë shtrënguar disi atë në valutë të huaj.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.