Interesat e ulëta – Obligacionet dyvjeçare prekin nivelin më të ulët në dy vjet
Kuponet e obligacioneve pësuan sërish rënie, duke thelluar tendencën e uljes së interesave të borxhit të instrumenteve të qeverisë shqiptare. Obligacionet me maturim dyvjeçar u emetuan me një kupon prej 2.15%. Ky është niveli më i ulët që regjistrohet që nga shtatori i vitit 2016.
Në rënie rezultuan edhe obligacionet 5 vjeçare, që javën e kaluar u emetuan me një kupon prej 5.3%, nga 5.45% që kishte qenë në ankandin paraardhës.
E njëjta tendencë po verifikohet edhe me instrumentet afatshkurtra, ku interesat e bonove gjithashtu kanë prekur nivelet më të ulëta të viteve të fundit. Sipas analizave të Bankës së Shqipërisë, oferta e qeverisë për letra me vlerë në gjysmën e parë të këtij viti ka qenë e përmbajtur. Në këto kushte, ecuria e interesave është përcaktuar nga kërkesa konkurruese e bankave, e cila ka qenë e lartë.
Në ankandet e kësaj jave, kërkesa arriti në mbi 5 miliardë lekë, nga 4 miliardë lekë që ishte vlera e obligacioneve të ofruara nga qeveria shqiptare. Bankat, që janë financuesi kryesor i borxhit të brendshëm qeveritar, vazhdojnë të kenë kërkesë të lartë për instrumentet e borxhit qeveritar. Tregu ka likuiditete të bollshëm, ndërsa kreditimi i sektorit privat ende po rritet me ritme të ngadaltë.
Një stimul i mëtejshëm për uljen e interesave erdhi nga vendimi i Bankës së Shqipërisë, që në muajin qershor e uli normën bazë në minimumin e ri historik prej 1%. Transmetimi i sinjaleve të politikës monetare në tregun primar të borxhit të qeverisë ndihmon në mbajtjen e interesave të ulët edhe në financimin e sektorit privat.
Ersuin Shehu/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.