Interneti do ndahet në dysh, ish-kreu i Google: SHBA dhe Kina do udhëheqin 2 pjesët
Ish kreu i Google, Eric Schmidt parashikon që në vitin 2028, pra pas 1 dekade, interneti do të ndahem në dysh, me njërën nga dy pjesët që do ët udhëhiqet nga Kina.
Pjesa tjetër pa diskutim që do të jetë ajo e udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Një tjetër sinjal ky që përplasja mes dy ekonomive më të mëdha të botës do të jetë afat-gjatë dhe e shtrirë në të gjitha sektorët.
Kjo deklaratë vjen në një kohë që, pasuesi i tij te Google ka `ndezur` një debat të gjerë në lidhje me strategjinë e kompanisë në Kinë.
Projekti `Dragoi fluturues` është një motor kërkimi i censuruar, që për rrjedhojë i shkon për shtat kërkesave të qeverisë kineze. Shumë kërkime të rrjet do të jenë të kufizuara dhe të censuruara, tashmë nga vetë Google.
Kjo ka shkaktuar një debat të gjerë në botë sot. Qindra punonjës të Google kanë nënshkruar një peticion ku kërkojnë më shumë transparencë në lidhje me çështjen si dhe theksojnë se ky projekt cenon moralin dhe etikën.
Nga ana tjetër, numri një i Google është shprehur se kompania që ai drejton është e vendosur që të bëjë më shumë në Kinë.
Ish kreu i Google ndërkohë duket i bindur se edhe kjo politikë do të ndikojë në ndarjen e internetit mes dy botëve në harkun e dhjetë viteve të ardhshme.
Roel Korkuti/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.