Interneti i kompanive celulare, Deputetët: Problem, luhatjet e cilësisë. Zela: Do rishikojmë kontratat
Jo rrallë herë abonentët e kompanive celulare në vend përballen me rënien e cilësisë së internetit, pas kalimit të ditëve të para të çdo muaji. Ndërkohë që, pavarësisht se paguajnë sipas tarifave në fuqi, deri më sot askush nuk ka mbajtur përgjegjësi për këtë mungesë shërbimi.
Shqetësimi është ngritur edhe në Komisionin Parlamentar të Veprimtarive Prodhuese, ku i pranishëm ishte kreu i Autoritetit të Komunikimeve Elektronike dhe Postare, Ilir Zela, i cili në këto kushte premtoi rishikim të kontratave ekzistuese.
Zela foli edhe për mbulimin e territorit me internet, një tjetër problem që kushtëzon dhënien e shërbimit të njëjtë në të gjitha zonat. Ai kërkoi investime nga ana e kompanive celulare, për ngritjen e kullave që do të mundësojnë këtë shërbim.
Ndërkaq, referuar tarifave të telefonisë celulare, kreu i AKEP tha se në raportin mes ofertave dhe të ardhurave të qytetarëve ato janë më të ulta në krahasim me rajonin dhe vendet e BE-së, duke theksuar se vëmendja do të fokusohet në uljen e tarifave roaming.
Gjithashtu, Zela tha se prej korrikut mbartja e numrin nga një kompani të tjetrën do të kryhet konform legjislacionit në fuqi, në masën 99% të rasteve.
Ola Mitre/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.