Interneti nga celularët – Numri i përdoruesve arrin në 2.16 milionë
Përdorimi i internetit me brez të gjerë nga rrjetet celulare u rrit me ritme të larta në tremujorin e tretë të këtij viti. Bazuar në statistikat e Autoritetit të Komunikimeve Elektronike dhe Postare, janë 2.16 milionë shqiptarë me akses në internet 3G dhe 4G nga aparatet celularë.
Numri i përdoruesve të internetit nga rrjetet celulare që nga fillimi i vitit është rritur me 18.4% gjatë tremujorit të tretë. Shërbimi i internetit me brez të gjerë nga rrjetet e lëvizshme deri në fund të këtij viti ofrohet nga katër operatorë.
Ky shërbim ka marrë shtysë të fuqishme nga teknologjia 4G dhe rritja e përdorimit të telefonave smart. Ndonëse me ritme më të përmbajtura, tregu i internetit po rritet edhe në shërbimet fikse, ku numri i pajtimtarëve në mesin e këtij viti arriti në afro 288 mijë, në rritje me 3% gjatë tremujorit të tretë dhe afro 10% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Gjatë këtij viti, shërbimit të internetit i janë shtuar rreth 21 mijë abonentë të rinj. Rritja është akoma më e lartë në segmentin e përdoruesve me shërbime të integruara, ku përfshihen interneti, telefonia dhe televizioni.
Numri i abonentëve që marrin të treja këto shërbimeve njëkohësisht ka arritur në 98 mijë, në rritje vjetore me 23%. Përfshirja e platformave televizive në paketa i ka dhënë një shtysë edhe më të fortë zgjerimit të shërbimeve të integruara të komunikimit.
Ersuin Shehu/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.