“Internetifikim” me PPP – Ministrja Harito kërkon propozime nga privatët
Qeveria shqiptare është e hapur për propozime nga sektori privat me qëllim rritjen e depërtimit të linjave fikse të internetit me brez të gjerë. Sipas statistikave më të fundit, Shqipëria ka rreth 266 mijë abonentë internetit përmes linjave fikse, me një depërtim ndaj totalit të popullsisë më të ulët se 10%.
Ministria e Inovacionit, Milena Harito tha sot gjatë një konference në Tiranë se, për të ndjekur hapin e zhvillimit teknologjik, Shqipëria duhet të rrisë investimet në zgjerimin e këtyre rrjeteve.
Për zonat ku ende tregu nuk ofron leverdi investimi nga sektori privat, zonja Harito tha se qeveria do të jetë e gatshme të bëhet pjesë e projekteve të partneritetit publik-privat.
Ministria e Inovacionit organizoi të mërkurën ditën e axhendës digjitale, në Kuadrin e Javës së Inovacionit. Një nga temat e diskutimit ishte edhe procesi i kalimit të plotë në transmetime televizive digjitale, që, sipas afateve të reja të vendosura nga AMA, duhet të kryhet brenda datës 30 qershor. Drejtori i përgjithshëm, Thoma Gëllçi tha se Radio-Televizioni Shqiptar, është drejt mbylljes së plotë të platformës së vet të transmetimeve digjitale dhe nënvizoi se zhvillimi teknologjik po i ndryshon rrënjësisht transmetimet televizive.
Pas kalimit të plotë në transmetime televizive digjitale, brezi i frekuencave 800 Mhz do të kalojë në dispozicion të zhvillimit të rrjeteve të lëvizshme, me qëllim kryesor zgjerimin e kapaciteteve të internetit me brez të gjerë përmes këtyre rrjeteve.
Ersuin Shehu/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.