Interpoli zgjedh koreanin jugor Kim Jong Yang si president të ri
Interpoli ka zgjedhur koreanin jugor Kim Jong-Yang si president të ri, sipas trupit ndërkombëtar të policisë. Jong –Yang u zgjodh për një mandat dyvjeçar në kongresin vjetor të trupit në Dubai ditën e mërkurë, duke përfunduar kështu mandatin katërvjeçar të paraardhësit të tij, i cili u arrestua në Kinë gjatë këtij viti.
“Tashmë, bota jonë po përballet me ndryshime të padëgjuara më parë që paraqesin sfida të mëdha për sigurinë publike”, tha Jong –Yang në Asamblenë e Përgjithshme të Interpolit. “Për t’i kapërcyer ato duhet një vizion i qartë: ne duhet të ndërtojmë një urë për të ardhmen”.
Jong-yang, 57 vjeç, punoi në policinë e Koresë së Jugut për më shumë se 20 vjet para se të tërhiqej në vitin 2015. Presidenti i Koresë së Jugut, Mun-Jae-in përgëzoi Jong-Yang për t’u bërë Koreani i parë Jugor që do të udhëhiqte organizatën. Jong –Yang me zgjedhjen e tij ka mundur kështu rivalin rus Alexander Prokopchuk.
Shtetet e Bashkuara, Britania dhe vende të tjera evropiane refuzuan kandidaturën e Prokopçuk duke thënë se zgjedhja e tij do të çonte në abuzime të mëtejshme ruse të sistemit të Interpolit për të shkuar pas kundërshtarëve politikë dhe disidentëve të arratisur.
Nga ana tjetër, Kremlini tha të martën se lobimi i SHBA –së kundër Prokopçukut, një ish-gjeneral i madh në ministrinë e brendshme të Rusisë, arriti të ndërhynte në zgjedhje. Zgjedhja e Jong-Yang vjen pas dorëheqjes së ish-shefit të Interpolit, Meng Hongwei, pasi u arrestua në Kinë në shtator për akuzat e ngritura për korrupsion.
Ada Xhagolli/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.