Investim emergjent – KESH tender prej 127 mln lekë për mbrojtjen e shpatit nga shkarkimet e Fierzës
Korporata Elektroenergjitike Shqiptare ka hapur një tender prej më shumë se 120 milionë lekë për mbrojtjen e shpatit të malit mbi daljet e tuneleve të shkarkimit Nr.3 dhe Nr.4 të hidrocentralit të Fierzës. Nga dëmtimet e konkluduara në terren ky investim është emergjent.
“Në kushtet e dëmtimeve të përsëritura të evidentuara qartazi vitet e fundit në bjefet e poshtme të hidrocentralit të Komanit dhe Fierzës, KESH i konsideron ndërhyrjet e parashikuar si të një prioriteti shumë të lartë. KESH ka ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme për kryerjen e investimeve me karakter emergjent, që nuk mund të presin finalizimin e studimeve të fizibilitetit, apo finalizimin e Marrëveshjeve Financiare, duke alokuar fonde të KESH-it për investime në bjefin e poshtëm të HEC Fierzë, për mirëmbajtjen e portave të shkarkimit dhe atyre të remontit në kaskadën e Drinit dhe Matit si dhe për të garantuar aksesin në të gjitha galeritë e digave ku parashikohet të implementohet projekti i Sigurisë së Digave”, thuhet në raportin teknik të tenderit.
Dukuritë atmosferike dhe gjendja e paqëndrueshmërisë së këtij shpati ka krijuar herë pas here rënie të masiveve shkëmbor në volume të vogla dhe pa rrezikuar ekranin e digës dhe të veprës së marrjes.
Punimet që do të kryhen:
“Kjo zonë paraqet një rrezikshmëri të lartë persa i përket gërryerjeve apo dhe shkarjeve të mundshme apo shkëputjeve të masivit shkëmbor, shkarje të cilat mund të çojnë në ndalimin e qarkullimit në rrugën e cila ndodhet poshtë këtij shpati apo dhe rrezikshmëri të tjera të cilat paraqet vetë zona e cila është evidentuar në projektin e zbatimit si dhe për vetë tunelet 3 dhe 4”.
Ne fillim do të realizohet pastrimi i shpatit dhe shkëputja e gurëve dhe materialeve të tjera të cilat nga studimi i bërë në zonën ku do të realizohet projekti paraqesin rrezikshmëri për zonën mbi Tunelet 3 dhe Tunelin 4.
Metodologjia e mbrojtjes së skarpateve ndjek një kombinim të kontrollit të shpateve dhe shkëmbinjve të rrezikshëm në këto zona, Instalimi i Rockfall Barrier, Ankorimi (Self drilling Anchors) me gjatësinë dhe specifikimet e ankorave si nga vizatimet, instalimi i Rrjetës së Dyfishtë, Rrjetë me një ose dy shtresa dhe tuba kullimi sipas specifikimeve.
Afati kohor për dorëzimin e ofertave është 30 Tetor, ndërsa kohëzgjatja e kontratës është 3 muaj nga data e nënshkrimit.
E.Z/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.