Investime edhe në rrugët dytësore – Bashkia hap tenderin, ja rruga që do rikonstruktohet së shpejti
Rruga dhe qendra e lagjes ‘Sheheler’, pjesë e Njësisë Administrativë Farkë, do t’i nënshtrohen së shpejti rikonstruksionit. Bashkia e Tiranës, e cila krahas rehabilitimit të akseve kryesore të qytetit, ka planifikuar edhe një sërë projektesh për edhe për rrugët dytësore ka hapur procedurat e tenderimit, një investim për të cilin është akorduar një fond limit 25.7 milionë lekë.
Nisur nga gjendja ekzistuese e rrugës, e cila ndodhet 10 km nga qendra e Tiranës, është parë e nevojshme edhe ndërhyrja në të gjithë gjatësinë e saj.
Projekti parashikon ndërhyrje në rrugën ekzistuese me vendosjen e shtresave alsfaltike si dhe trotuareve. Ndërkohë, sipas projekt-preventivit do të bëhet prishja e mureve rrethuese për shkak se gjerësia e rrugës paraqitet e ngushtë, ndërsa do të ndërtohen përsëri dhe do të jenë të unifikuara.
Po ashtu, grafiku i punimeve përfshin edhe ndërtimin e një rrjeti të veçantë të ujërave të bardha nga ai i ujërave të zeza. Sistemi i ndriçimit është një tjetër element që përfshin projekti, ku parashikohet të vendoset përgjatë gjithë gjatësisë së rrugës, si dhe do të bëhet gjithashtu pajisja e rrugës me sinjalistikën rrugore horizontale dhe vertikale.
Kohëzgjatja e grafikut të punimeve përfshin një periudhë kohore tre muaj kalendarikë, ndërsa operatorët ekonomikë do të mund të dorëzojnë ofertat e tyre deri më 19 dhjetor 2018. Ky investim pritet të ndikojë jo vetëm në zhvillimin shoqëror të zonë, por njëkohësisht edhe në atë ekonomik.
G.D/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.