Investime në shkollën e Shëngjergjit- Veliaj: Infrastrukturë me cilësi, tre fusha sportive për 220 nxënës
Bashkia e Tiranës përfundoi ndërtimin e disa terreneve sportive për 220 nxënësit e fshatrave të Shëngjergjit që frekuentojnë Shkollën e Bashkuar në fshatin Verri. Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj u shpreh se investimet në zonat rurale, nuk kanë asnjë dallim nga ato të shkollave të tjera në qendër të Tiranës.
“Aktualisht po punojmë në të 191 shkollat e Tiranës. Ajo që është speciale për shkollën këtu në Shëngjergj, në fshatin Verri, është se është një shkollë që i shërben një krahine të tërë, me 220 nxënës, pra janë 220 familje që marrin shërbime nga kjo shkollë dhe si kurrë më parë kemi një ambient sportiv të denjë për çdo shkollë edhe në mes të bllokut në qendër të Tiranës, me fushë futbolli, volejbolli, basketbolli, me pistë atletike, me sallat e zhveshjes dhe me të gjitha nevojat bazike për orët e mësimit, dhe për të gjithë ata që duan të merren me sport”, tha kryetari i Bashkisë së Tiranës.
Veliaj theksoi se këtë vit do të vijoj puna për fazën e dytë të Parkut Olimpik, me pishinat olimpike, terrenet sportive. Duke shtuar se ka një projekt të ngjashëm si me stadiumin “Qemal Stafa”, edhe me pallatin sportit “Asllan Rusi”, me partneritet publik-privat.
“Do të vazhdojmë të fokusohemi edhe tek sporti elitar. Këtë vit do të vazhdojmë fazën e dytë të Parkut Olimpik, me pishinat olimpike, terrenet sportive. Kemi një projekt gjithashtu të ngjashëm si me stadiumin “Qemal Stafa”, edhe me pallatin sportit “Asllan Rusi”, pra me partneritet publik-privat, ku qyteti të përfitojë falas një pallat sporti modern”, theksoi Veliaj.
Veliaj theksoi për banorët e Shëngjergjit ,se te treja fushat sportive nuk do të funksionojnë vetëm gjatë orëve të paradites, por ato do të përdoren edhe gjatë pasditeve dhe gjatë ditëve të pushimit.
Nertila Doko/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.