Investime për sigurinë rrugore- ARRSH dhe FSHZH hapin 2 tenderë paralelë, fondi total 541.2 mln lekë
Autoriteti Rrugor Shqiptar dhe Fondi Shqiptar i Zhvillimit kanë hapur 2 procedura paralele prokurimi, që kanë si objekt përmirësimin e sinjalistikës rrugore në vend, ndërkohë që fondit total i vënë në dispozicion arrin në 541.2 mln lekë.
Tenderi I hapur nga ARRSH ka një fond limit prej 166.2 mln lekë, ndërsa përfshin ndërhyrjen në 5 akse në rajonin e veriut, me një gjatësi prej 140 km. Kukës-Peshkopi, Ura e Matit-Lezhë, Bajram Curri-Valbonë apo Shkodër-Velipojë janë disa nga akset ku do të ndërhyhet. Kjo është vetëm 20% e rrjetit rrugor verior, që në total përbëhet nga 755 km rrugë.
Në 20% të këtij rrjeti janë realizuar ndërhyrje më herët, ndërsa në pjesën e mbetur prej 60% do të duhet të ndërhyhet në vitet e ardhshme, pasi për vitin 2019 nuk është planifikuar fond në buxhetin e shtetit.
Ndërkaq, tenderi i hapur nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit kap vlerën e 375 mlion lekëve, por ajo që vlen të theksohet është fakti se nuk janë përcaktuar akset se ku do të ndërhyhet. Në dokumentet që shoqërojnë procedurën thuhet vetëm se parashikohet ndërhyrje për sigurinë, ndriçimit dhe sinjalistikës ne akset rrugore rajonale e lokale.
Kjo në funksion te përmirësimit të aksesit ne zona turistike e ekonomike ne përputhje dhe komplementare me programet e zhvillimit rajonal, programi 100 fshatrat, por pa dhënë detaje konkrete për secilin prej tyre.
Ola Mitre/ SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.