Investimet e bashkisë – Veliaj: I njëjti ritëm e cilësi edhe për 2 vitet e ardhshme
Në gjysmën e dytë të mandatit Bashkia e Tiranës do të punojë me të njëjtin ritëm dhe cilësi si dhe në dy vitet e para për të mundësuar që investimet e saj të jenë të prekshme për të gjithë banorët e Tiranës”.
Deklarata është bërë nga kryebashkiaku, Erion Veliaj, gjatë inspektimit të nisjes së punimeve për ndërtimin e një këndi lojërash në zonën e Saukut.
“Është një prej 100 blloqeve ku kemi ndërhyrë në Tiranë dhe nëse do të vazhdojmë me këtë ritëm, me 100 blloqe çdo vit, do e kemi Tiranën e ëndrrave tona edhe në brendësi të lagjeve, dhe jo vetëm tek sheshi Skënderbej. “Në 20 vitet e fundit në Sauk nuk mbahen mend të jenë bërë kaq shumë investime. Kemi hapur disa kantiere, disa të tjera kanë përfunduar, siç është Rr. “Herman Gmeiner”, kurse Rr. “Danish Jukniu” ka pak ditë që ka filluar. Po punohet në disa blloqe, te Rr. e “Osmëve” dhe disa të tjera, ndaj besoj se i kemi dhënë përgjigjen e duhur të gjithëve, për të mos e lënë Saukun një periferi dhe jashtë qendrës së vëmendjes, por e kemi kthyer në një kantier që tregon se bashkia punon me të njëjtin ritëm e të njëjtën shpejtësi, si në qendër të Tiranës, ashtu edhe periferinë e Saukut, për ta trajtuar si një lagje të mirëfilltë të Tiranës”, u shpreh Veliaj.
Punimet për ndërtimin e këtij këndi do të përfundojnë brenda një muaji, ndërsa Veliaj kërkoi bashkëpunimin e qytetarëve për heqjen e pengesave apo mureve rrethues, në mënyrë që t’i hapet rrugë zbatimit të plotë të projektit.
“Siç e shihni, investimi ka nisur dhe jemi në rrugë të mbarë. Do e mbarojmë besoj brenda një muaji, ama do hiqen edhe çibanët që janë në trupin e këtij investimi. Tahmaja e dikujt për të rritur pak mirëqenien e vet, duke ia bërë jetën më të vështirë të tjerëve, është diçka e paqëndrueshme, sepse në thelb hyjmë secili në një garë për të prekur fundin, ndërkohë që duhet të hyjmë në një garë për të kapur majën; pra, një hapësirë demokratike, të pastër, të gjelbër, që është në funksion të të gjithëve”, shtoi Veliaj.
Këndi rekreativ që po ndërtohet do të ofrojë mundësi argëtimi për fëmijët dhe hapësirat e nevojshme çlodhëse për moshën e tretë. Përveç investimit në krijimin e këndit çlodhës, është parashikuar sistemimi i kanaleve të ujërave të shiut, trotuaret, gjelbërim, asfaltim i rrugës, krijimi i 15 vendeve për parkim, një prej të cilëve do jetë për persona me aftësi të kufizuara. Ky është këndi i tretë në Njësinë Administrative nr.2.
Ola Mitre/ SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.