Investimet e huaja – 291 milionë euro në tremujorin e parë
Investimet e huaja direkte e kanë nisur me rritje edhe vitin 2018. Sipas Bankës së Shqipërisë, për tremujorin e parë të vitit investimet e huaja kishin vlerën e 291 milionë eurove.
Kjo shifër është afro 47% më e lartë krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Kjo rritje ndjek ecurinë pozitive të vitit 2017, kur investimet e huaja prekën vlerën e 970 milionë eurove.
Vlerat e larta të investimeve të huaja kanë qenë ndër kontribuuesit kryesorë të rritjes ekonomike gjatë viteve të fundit dhe një nga shtysat kryesore për rimëkëmbjen graduale të rritjes ekonomike.
Investimet e huaja janë kryesisht të përqendruara në ndërtimin e veprave të rëndësishme energjetike, si gazsjellësi TAP, në sektorin e nxjerrjes së naftës, ndërkohë që edhe sektori financiar ngelet një kontribuues i rëndësishëm, falë injektimeve të kapitalit nga aksionerët e bankave të huaja.
Rritja e lartë e investimeve të huaja në tremujorin e parë të vitit mund të jetë një faktor që shpjegon pjesërisht edhe zhvlerësimin e euros në kursin e këmbimit. Investimet e huaja, që janë kryesisht në monedhën europiane, kanë shtuar ofertën e euros në tregun valutor.
Sipas Bankës së Shqipërisë, pikërisht investimet e huaja direkte kanë qenë një faktor me ndikim të rëndësishëm në balancat e tregut valutor.
Vlera e investimeve të huaja ka qenë ndjeshëm më e lartë krahasuar me deficitin e llogarisë korrente, që për tremujorin e parë të vitit regjistroi një thellim me 11% krahasuar me një vit më parë.
Përkeqësimi i bilancit të llogarisë korrente erdhi njëkohësisht nga thellimi i deficitit në mallra dhe nga ulja e suficitit në shërbime.
Ersuin Shehu/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.