Investimet e huaja – 4% më pak për 9-mujorin, dominon TAP
Investimet e Huaja Direkte në tremujorin e tretë të këtij viti kishin vlerën e 299 milionë eurove. Sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë, investimet u rritën nga tremujori i dytë, por kishin pothuajse të njëjtën vlerë me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Me ecurinë e deritanishme, përsëritja e vlerës rekord prej 943 milionë eurosh të vitit të kaluar do të jetë e vështirë. Për 9-mujorin, vlera e investimeve të huaja ishte 677 milionë euro, 4.2% më pak krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Sipas Bankës së Shqipërisë, për tremujorin e tretë të vitit investimet e huaja u përqendruan në sektorin e energjetikës, me 59%, atë të hidrokarbureve me 12% dhe ndërmjetësimit financiar me 12%.
Të dhënat sektoriale konfirmojnë se edhe këtë vit investimet e huaja po mbështeten nga ndërmarrjet dhe projektet ekzistuese, ndërkohë që nuk duket të ketë nisma të reja për investime të rëndësishme.
Fakti që rreth 60% e fluksit të investimeve të huaja erdhën nga projekti madhor TAP është mjaft domethënës.
Kjo tregon se, në mungesë të projekteve të reja, me shumë të ngjarë investimet e huaja direkte janë të destinuara të pësojnë një rënie drastike gjatë viteve në vazhdim.
Pas vitit 2013, vlerat e larta të investimeve të huaja kanë qenë ndër kontribuuesit kryesorë të rritjes ekonomike.
Ersuin Shehu/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.