Investimet e huaja – Kompanitë offshore bëjnë “lëmsh” origjinën
Greqia është investitori i huaj më i madh në Shqipëri, me 1.27 miliardë euro stok investimesh në mesin e këtij viti. Sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë, Greqia kryeson me afro 21% të totalit të investimeve të huaja dhe me diferenca të ndjeshme nga vendet e tjerë.
Vlera e lartë e investimeve greke lidhet me natyrën strategjike të tyre, të përqendruar sidomos në sektorin financiar dhe në telekomunikacione. Investimet greke kanë vijuar të rriten gjatë viteve të fundit, pavarësisht krizës.
Investimet e huaja sipas investitorëve kryesorë (mln euro) | |
Greqi | 1273 |
Holandë | 817 |
Kanada | 810 |
Zvicër | 647 |
Itali | 632 |
Turqi | 482 |
Austri | 409 |
Ndërkohë, struktura e investimeve sipas shteteve ndërlikohet mjaft nga fenomeni i kompanive të regjistruara offshore. Për shembull, investitori i dytë më i madh rezulton Holanda, me 817 milionë euro. Në fakt, flukse të mëdha nga kompani me kapital të mirëfilltë holandez në Shqipëri, nuk ka pasur, përjashtuar disa investime të Shell, që vlerësohet se janë larg këtyre shifrave.
Por, sasia kaq e madhe e investimeve holandeze lidhet me kompani të regjistruara aty offshore, përmes të cilave janë kryer investime në Shqipëri. Një fenomen i ngjashëm ndodh me Zvicrën, prej nga rezulton një stok investimesh prej 647 milionë eurosh. Në pjesën dërrmuese, këto investime i takojnë gazjellësit TAP. Kompania është e regjistruar në Zvicër, por, sigurisht që edhe në këtë rast nuk bëhet fjalë për kapital të mirëfilltë zviceran.
Nga ana tjetër, Kanadaja ngelet investitori i tretë më i madh në Shqipëri me 810 milionë euro, kryesisht falë investimeve të kryera nga kompania e industrisë nxjerrëse Bankers Petroleum. Por, megjithëse Bankers është shitur qysh vitin e kaluar tek kompania me kapital kinez Geo-Jade Petroleum, sërish investimet e Bankers rezultojnë si kanadeze.
Investimet kineze, në total, kanë një shifër të papërfillshme, prej gjithsej 6 milionë eurosh. Të tjerë investitorë të rëndësishëm në ekonominë shqiptare ngelen Italia, me 632 milionë euro, Turqia me 482 milionë euro dhe Austria me 409 milionë euro.
Ersuin Shehu/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.