Investimet e huaja – Rezistojnë në rritje falë fitimeve të riinvestuara
Investimet e huaja direkte rezistuan në rritje edhe në fillimin e këtij viti. Sipas Bankës së Shqipërisë, për tremujorin e parë 2019 investimet e huaja kishin vlerën e 286 milionë eurove. Krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë, investimet e huaja janë rritur me pesë milionë euro.
Duke zbërthyer të dhënat, duket se një kontribut të rëndësishëm në rritje ka vazhduar të japë fitimi i riinvestuar nga sipërmarrjet ekzistuese. Fitimi i riinvestuar përbën rreth një të katërtën e totalit të investimeve të huaja direkte dhe është rritur me 50% krahasuar me një tremujorin e parë 2018. Ndërkohë, investimet e reja kanë pësuar një rënie të ndjeshme, me 50 milionë euro më pak krahasuar me një vit më parë.
Vlerat e larta të investimeve të huaja kanë qenë ndër kontribuuesit kryesorë të rritjes ekonomike gjatë viteve të fundit dhe një nga shtysat kryesore për rimëkëmbjen graduale të rritjes ekonomike. Investimet e huaja kanë qenë kryesisht të përqendruara në ndërtimin e veprave të rëndësishme energjetike, si gazsjellësi TAP, në sektorin e nxjerrjes së naftës, ndërkohë që edhe sektori financiar ngelet një kontribuues i rëndësishëm, falë injektimeve të kapitalit nga aksionarët e bankave të huaja.
Gjithashtu, rritja e investimeve të huaja direkte është një nga faktorët që besohet se ka ndikuar në rritjen e ofertës së euros dhe në mbi çmimin e lekut në kursin e këmbimit valutor.
Edhe në tremujorin e parë të këtij viti, vlera e investimeve të huaja arriti të kompensojë dhe tejkalojë deficitin e llogarisë korrente. Ky deficit u rrit me 41% për tremujorin e parë të këtij viti dhe arriti në 243 milionë euro, kryesisht për shkak të përkeqësimit të bilancit të tregtisë së mallrave. Por, sërish vlera e investimeve të huaja e tejkaloi me afro 18% vlerën e deficitit të llogarisë korrente.
Ersuin Shehu/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.