Investimet e së ardhmes/2019-2021, vetëm 5 % e shpenzimeve buxhetore
Përdorimi me efikasitet i buxhetit të shtetit tashmë është parashikuar në ligj, ku është e përcaktuar qartë se investimet do të jenë të mirëprogramuara.
Por në një kohë kur qeveria ka “trumbetuar” projektin e madh “1 miliard”, sipas kuadrit makro-ekonomik dhe fiskal i miratuar tashmë për tre vitet e ardhshme, nuk pritet sjellë ndryshime të mëdha në financime kapitale.
Kështu referuar këtij dokumenti, investimet publike janë programuar të mbahen në një nivel mesatarisht prej rreth 5 për qind të PBB në çdo vit. Këto konsiderohen nivele optimale për mbështetjen e një rritje ekonomike të lartë e të qëndrueshme.
Po kështu po ti referohemi në vlera reale të parashikuara, rezulton se për vitin e ardhshëm vlera e investimeve publike do të jetë 87.8 miliardë lekë, për vitin 2020, 92.2 miliardë lekë dhe për vitin 2021, 95.2 miliardë lekë.
“Megjithëse politika fiskale do të vazhdojë të jetë e orientuar drejt konsolidimit në periudhën afatmesme dhe afatgjatë, politika buxhetore e qeverisë për të ruajtur një nivel të investimeve publike në rreth 5% të PBB në vitet 2019-2021 do të stimulojë formimin e kapitalit fiks bruto në ekonomi, esenciale kjo për të mbështetur nivele relativisht të larta rritje në periudhën afatmesme dhe afatgjatë”, thuhet në dokumentin e Kuadrit Makroekomik dhe Fiskal.
Por nuk do të jenë vetëm këto investime që pritet të ndikojnë në rritjen ekonomike të vendit. Sipas ekspertëve të financave, vijimi i politikës monetare akomoduese parashikuar në periudhën afatmesme, duke marrë parasysh presionet e ulta inflacioniste, do të mbështesë konsumin privat dhe investimet.
Kështu investimet totale në ekonomi parashikohen të rriten në terma realë me mesatarisht rreth 5.3% në vit, me një përshpejtim të lehtë në vitet 2020 dhe 2021, me një kontribut mesatar në rritjen totale prej rreth 1.5 pikë përqindje në vit.
Violeta Shqalsi/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.