Investimet financiare – Nisje OK për “Credins Premium”
Vitin e kaluar, Credins Premium u bë fondi i tretë i investimeve në tregun shqiptar. Pas fondit të pensioneve SiCRED, fondi i investimeve ishte një hap i mëtejshëm i grupit financiar Credins drejt zgjerimit dhe diversifikimit të aktivitetit në tregun financiar.
Mjedisi ishte padyshim sfidues, në kushtet kur normat e interesit prekën minimumet historike dhe alternativat e investimit në monedhën vendase janë të kufizuara. Megjithatë, ndjesitë e drejtuesve të shoqërisë që administron fondet janë pozitive. Në një intervistë për “Tv Scan”, Estela Koçi, drejtore e shoqërisë administruese Credins Invest, thotë se rritja e Credins Premium në muajt e parë të aktivitetit ka qenë e kënaqshme.
Ndërkohë, një ecuri akoma më të mirë vitin e kaluar ka shfaqur fondi i Pensioneve SiCRED Pensions. Vitin e kaluar, SiCRED Pensions u bë subjekti me numrin më të madh të kontribuuesve në këtë treg. Publiku ka shfaqur një interes në rritje për këto instrumente, e ndikuar nga faktorë si ulja e normave të interesit nga instrumentet e tjera të kursimeve, për shkak rritjes së ngarkesës fiskale mbi të ardhurat, por edhe si rezultat i përmirësimit të kulturës financiare.
Zonja Koçi shprehet se ekzistenca e një burse funksionale përfaqëson një domosdoshmëri për zhvillimin e mëtejshëm të tregut të fondeve të investimit dhe atij të pensioneve private. Në këtë kuptim, tregu ka pritshmëri të larta nga licencimi i pritshëm i Albanian Stock Exchange, projekt i paraqitur për miratim që vitin e kaluar në Autoritetin e Mbikëqyrjes Financiare.
Ekspertët besojnë se gjatë vitit 2017 tregjet financiare do të përfitojnë nga përmirësimet graduale të mjedisit ekonomik dhe pritet që rritja të jetë më e kënaqshme. Megjithatë, ata shprehen se, në veçanti, fondet private të pensioneve kanë nevojë për incentiva të mëtejshëm ligjore dhe fiskale.
Aktualisht, kontributet për këto fonde përjashtohen nga tatimet deri në shumë e 200 mijë lekëve në vit, megjithatë, përfitimi i përjashtimit është i vështirë nga pikëpamja burokratike, sidomos në rastet kur derdhja e kontributeve bëhet direkt nga kontribuuesi dhe jo nëpërmjet punëdhënësit. Jo vetëm fondet e pensioneve, por edhe Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare, kanë kërkuar përjashtimin nga tatimi i të ardhurave nga pensionet private, si edhe rritjen e pragut ligjor të patatueshëm.
Zhvillimi i institucioneve si fondet e investimit dhe ato të pensioneve private do të ishte një etapë e rëndësishme në modernizimin e tregut financiar dhe në rritjen e dinamizmit të ekonomisë shqiptare. Hapja e bursës pritet t’ju japë atyre një shtysë të natyrshme, megjithatë, duket qartë se ka nevojë për një mbështetje më të madhe nga institucionet, në nivelin e politikëbërjes dhe rregullimit.
Projekti i bursës prej një viti qëndron në sirtarët e AMF-së, ndonëse shqyrtimi i aplikimeve duhet bërë brenda afateve të caktuara ligjore. Nga ana tjetër, incentivat fiskale që individët të investojnë në një pension më të mirë për veten jepen me pikatore, ndonëse efekti i tyre në buxhet është pothuajse i papërfillshëm.
Ersuin Shehu/SCAN
Ersuin Shehu/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.