Investimet, krahasimi me rajonin – Në ndërtim jemi në krye të listës, por zbresim në fund për veprat e mirëfillta
Banka Europiane e Investimeve ka publikuar një raport të zgjeruar për infrastrukturën në Shqipëri dhe 5 vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor.
Të dhënat që dalin në pah nga raporti shërbejnë si një bazë e vlefshme krahasimore mes këtyre gjashtë vendeve, që ndër të tjera janë edhe aspirante për t`u bërë pjesë e Bashkimit Europian në të ardhmen, duke qenë kështu pjesë e një gare mes tyre.
Të dhënat tregojnë qartë se, pavarësisht rënies së ndjeshme gjatë viteve të fundit, Shqipëria vijon të jetë në krye të vendeve të rajonit sa i përket normës së investimeve në ndërtim, në afro 19% të Prodhimit të Brendshëm bruto.
Siç duket qartë nga grafiku, ku Shqipëria ilustrohet me vijën e kuqe, me përjashtim të Kosovës, të gjitha vendet e tjera janë më poshtë se Shqipëria në këtë drejtim. Në vitin 2006 ndërkohë, kjo normë ka qenë bindshëm më e lartë, në mbi 30% të PBB.
Por, ajo që bie në sy nga raporti është fakti se, Shqipëria është e fundit në rajon kur bëhet fjalë për vepra publike në infrastrukturë.
Me një normë në më pak se 1% të PBB, Shqipëria është e fundit në rajon sa i përket investimeve të mirëfillta në energji, furnizim me ujë, transport, komunikacion, edukim dhe shëndet. Edhe këtu, pjesën e luanit, 70% e merr energjetika.
Roel Korkuti/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.