Investimet në kryeqytet – Veliaj: 2019-a do jetë vit aksioni, fokusohemi te zonat kapilare
2019-a do të jetë një vit aksioni për Bashkinë e Tiranës. Teksa inspektoi punimet për rehabilitimin e rrugës së Kavjaës, krybashkiaku, Erion Veliaj tha se investimet për këtë vit, që përkon dhe me zgjedhjet lokale do të përqendrohen në zonat kapilare dhe lagjet.
“Ne do ta përqendrojmë të gjithë vëmendjen tonë në zonat kapilare dhe lagjet. Ato zona të cilat kanë identifikuar tashmë, me Bashkinë, një hapësirë për një shesh rekreativ ose kënd lodrash, ky do të jetë prapë një vit aksioni. Ndërkohë, e gjithë ndërmarrja jonë do të fokusohet në kryqëzime, për të ulur rampat dhe për t’u siguruar që të jemi një qytet i aksesueshëm për ata që janë me karrige me rrota, për prindërit që shtyjnë karrocat me fëmijë.”
Kryebashkiaku bëri të ditur se ashtu sikurse tek Unaza, edhe në rrugën e Kavajës do të ketë korsi të dedikuara për transportin publik.
“Një qytet i mirë, nuk është një qytet që mbron ose investon vetëm për atë 20% që ka makina, por edhe për 80% tjetër që ecën në këmbë, me biçikletë, me autobus. Kjo do të thotë se ashtu si Unaza, edhe në Rrugën e Kavajës do të kemi një korsi të dedikuar për autobusët. Brenda 2-3 vitesh në Tiranë do të jetë më e thjeshtë të shkosh me biçikletë ose me autobus, sesa me makinë, nga pika A në pikën B. Unë besoj se ky është qyteti i së ardhmes”.
Ndërhyrja në rrugën e Kavajës vjen pas rehabilitimit të rrjetit të ujësjellës- kanalizimeve.
Ola Mitre/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.