Investimet në Lushnjë e Divjakë, Rama: Vaditja me matës, menaxhim më efikas të burimeve ujore
Kryeministri Rama ka inspektuar punimet në sistemin e ujitjes dhe vaditjes në zonën e Lushnjës dhe Divjakës. Rreth 400 kilometra kanale janë pastruar nga dherërat, inertet, dhe segmentet janë ndërtuar nga fillimi me veshje betoni dhe rrjeta hekuri.
Nga ky investim janë përfitues 8350 familje fermerë në Divjakë, Fier Shegan, Krutje, Martish, Goricë, Grabian etj, ku në total janë 5060 ha sipërfaqe e përmirësuar në kullim.
Investimet në sistemin e ujitjes dhe kullimit nuk përfshijnë vetëm rehabilitimin e kanaleve, por edhe modernizimin e të gjithë sistemit dhe një administrim më efektiv të përdorimit të ujit. Çdo fermer do të pajiset me matës edhe për ujin që shkon në parcelë. Kjo do të sjellë edhe një menaxhim më efikas të burimeve ujore.
“Janë më shumë se 400 km kanale ujitjeje dhe kullimi vetëm në këtë zonë, ndërsa në pjesën e Divjakës që është edhe zona më intensive bujqësore në këtë rajon ku kemi bujqësinë më intensive, për herë të parë në Shqipëri, ne do të bëjmë vaditjen me matëse dhe jo vetëm që do garantojmë përfundimisht që uji të shkojë në çdo parcelë dhe të mos ketë më nevojë për pompa që e nxjerrin ujin nga poshtë dhe pastaj kanë pasojën që e kripëzojnë tokën dhe e bëjnë të papërdorshme në harkun e viteve”, tha Kryeministri.
Ndërkohë mbi 13 milionë euro janë duke u investuar për fuqizimin e modernizimin e sistemit të ujitjes për Divjakën dhe Krutjen, duke filluar që në sezonin e ujitjes së këtij viti.
Shtrirja e 22 km tubacione nën presion dhe ndërtimi i 2 stacioneve të pompimit për Divjakën dhe rehabilitimi i 252 km kanale në rrjetin e ujitjes në Krutje-Tërbuf do të çojnë ujin në parcelë, në një sipërfaqe të përgjithshme prej rreth 15 mijë ha.
Kryeministri Rama ishte në Gërmenj, ku ka filluar projekti për rehabilitimin e një nga dy ujëmbledhësit për Divjakën, me kapacitet 4.5 milionë m3 ujë.
Një element tjetër domethënës i këtyre investimeve në rrjetin e ujitje kullimit është se të gjithë punësimet për kryerjen e punimeve janë të punëtorëve nga zona Lushnjë Divjakë.
(er.zi)
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.