Investimet në sektorin e ujit – UKT zgjeron impiantin e Bovillës, 3.3 mln euro për fazën e parë
Shoqëria Ujësjellës Kanalizime Tiranë ka nisur tashmë procedurat për kryerjen e investimeve që do të rrisin kapacitetet e përpunimit me ujë dhe mundësojnë furnizimin 24 orë në ditë për banorët e kryeqytetit.
Pas hapjes së tenderit për shtrimin e një tubacioni nga Impianti i Përpunimit të ujit të pijshëm Bovillë drejt rrugës “Dekokracia” në Kamëz, UKT ka hapur garën edhe për fazën e parë të shtesës së impiantit me 1800 litra/sekondë.
Projekti synon që të dyfishojë kapacitetin e trajtimit të këtij impianti, ndërsa në fazën e parë ky kapacitet do të rritet me 600 l/s. Vetëm punimet për fazën e parë të shtesës pritet të kushtojnë rreth 421 milionë lekë, ose 3.34 milionë euro.
Me realizimin e projektit të dyfishimit të impiantit, do të realizohen dalja nga puna e Stacioneve të Pompimit, të cilat marrin ujë jashtë kushteve higjieno-sanitare që kërkojnë standardet shqiptare dhe europiane.
Kapaciteti shtesë do të jetë i nevojshëm veçanërisht në periudhën e thatë të verës, ku për katër muaj do të punohet me kapacitet të plotë prej 3600 l/s për nevojat e Tiranës dhe Kamzës.
Objektivi i UKT është që përmes investimeve të realizojë furnizimin e pandërprerë për të gjithë Tiranën brenda vitit 2022.
A.H./SCAN
HEC Lanabregas drejt rehabilitimit dhe rritjes së kapacitetit – Do të lidhet me ujësjellësin e Gurit të Bardhë
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.