Investimet në shëndetësi – Manastirliu: Brenda 2018, rehabilitojmë qendrat shëndetësore të Vorës dhe Gërdecit
Qendra Shëndetësore e Gërdecit dhe ajo e Vorës do të t’i nënshtrohen rehabilitimit brenda këtij viti. Këtë e ka bërë të ditur ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale gjatë takimit me banorët e Njësisë Administrative Bërxull në kuadër të turit të llogaridhënies publike.
Rikonstruksioni i qendrave shëndetësore ishte edhe një ndër problemet kyçe që ngritën banorët e zonës. Ndërkohë, Manastirliu shtoi se gjatë këtij viti vetëm në qarkun e Tiranës do të rehabilitohen 14 qendra shëndetësore, të cilat përfshijnë edhe atë të Vorës dhe ambulancën e Gërdecit.
“Si asnjëherë më parë investojmë për fuqizimin e kujdesit Parësor. Kemi nisur programin kombëtar të rehabilitimit të 300 qendrave shëndetësore në këtë mandat. Vetëm për vitin 2018 do të rehabilitojmë 80 qendra shëndetësore nga veriu në jug të vendit”, shtoi Manastirliu.
Problemet me ujin e pijshëm, rrugët dytësore si dhe legalizimi i banesave ishin edhe disa nga shqetësimet kryesore që ngritën banorët.
G.D/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.