Investimet në shkolla/Nis ndërtimi i “Servete Maçit”, Veliaj: Fund mësimit me turne
Bashkia e Tiranës ka nisur rindërtimin e shkollës “Servete Maçi”. I pranishëm në nisjen e punimeve ishte kryebashkiaku, Erion Veliaj, i cili tha se shkolla e re do të vijë me një kapacitet të shtuar, çka do mundësojë dhe dhënien fund të mësimit me dy turne.
“Sapo kemi filluar punën për ndoshta shkollën më të bukur në Tiranë. Një projekt fantastik në zonën e Selvisë, që e kthen shkollën “Servete Maçi” në një kantier ndërtimi. Ka nisur prishja e shkollës së vjetër, një shkollë, e cila është themeluar si Shkolla e Vashave në vitin 1916; pra, pas 101 vjetësh rrëzohet e vjetra për të krijuar të renë, për ta kaluar të gjithë shkollën vetëm me një turn dhe për të përfituar një hapësirë, i cili do të mirëpresë një pafundësi talentesh që vijnë në shkollën e muzikës. Do të jetë një shkollë komunitare, me palestër, me terrene sportive, me salla takimesh që do të përdoren 24 orë nga i gjithë komuniteti i zonës së Selvisë, 9-Katësheve dhe rrugës së Barrikadave. Mezi pres që të ecim shpejt këto 18 muaj, që në fund të këtij mandati të çelim shkollën e re”.
Veliaj bëri të ditur se këtë vit do të nisë edhe zbatimi i projektit të ndërtimit të 16 shkollave në partneritet me sipërmarrësit privatë, që do t’i japë fund përfundimisht problemit të mësimit me dy turne në Tiranë.
“Ne fillojmë garën brenda këtij viti për 16 shkolla të tjera dhe them se kemi kaluar nga një situatë ku nuk ishte ndërtuar asnjë shkollë në 4 vjet, në një situatë ku po ndërtohen nga 4 shkolla në vit. Besoj se po të vazhdojmë me këtë ritëm, çdo ditë një punë konkrete për Tiranën, jo vetëm do kemi zgjidhur problemin e mësimit me dy turne, por do e kemi afruar Tiranën tek qyteti i ëndrrave që duam të gjithë”.
Ola Mitre/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.